Avokati Edmond Petraj, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se “shtyrja e një tenderi apo pjesëmarrja më e gjerë në garën për një tender nuk përbën ndonjë shkelje”.
“Pasi merren komunikimet dhe printohen, mundohet të bëhet lidhja hap pas hapi, derisa të shkohet te elementi për çfarë është folur dhe çfarë ka ndodhur. Por, po të shikosh ato 48 faqe, jep vetëm pjesën e komunikimit, nuk jep pjesën kur del direkt zonja Balluku e përfshirë. Shtyrja e një tenderi nuk përbën ndonjë shkelje apo pjesëmarrja më e gjerë në garën për një tender. Me aq sa lexova unë, mbetet për t’u parë e gjithë situata dhe nuk më duket se ka pasur ndikim. Por, kjo do të shihet më tej, pasi të dalin edhe elementët e tjerë. Pjesa tjetër e metodave speciale të hetimit mund të jenë përgjime, video... Por, nëse do të kishte provë të fortë, të garantoj që Prokuroria e Posaçme do i drejtohej Kuvendit për një masë më të ashpër. Por, të garantoj që do të ndryshojë Kushtetuta dhe nuk do të futen më njerëz në burg pa prova”, u shpreh Petraj.
Ndërsa avokati Përparim Çaça, në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se “ka një farë abuzimi me pjesën e mesazheve nëpër celularë”, duke shtuar se “është për të ardhur keq që kemi njerëz që dënohen vetëm me një SMS”.
“Ka një farë abuzimi me pjesën e këtyre celularëve, mesazheve... Madje, po ju them që ka edhe shumë të dënuar vetëm nga këto komunikime. Nuk merren si indicie, më pas të kryqëzohen informacionet, që më pas të çojnë këto indicie te provat dhe në fund te fakti penal. Ky zinxhir nuk zbatohet gjithmonë. Është për të ardhur keq që kemi njerëz që dënohen vetëm me një SMS. Komunikimi është indicie, që duhet të verifikohet më pas. Nëse ti thua se “ditën e hënë që do të jetë tenderi, do ta fitojë filani” dhe të hënën një gjë e tillë ndodh, i bie që komunikimi telefonik realisht na ka çuar te prova. Por, nëse nuk na çon te prova ky komunikim, mbetet thjesht një indicie. Por, për fat të keq, gjykatat, që kanë mjetet për ta parë në vijimësi komunikimin, kanë abuzuar totalisht me këtë”, tha avokati.
“Gjëja e parë që bëhet sapo ndodh një arrest, është marrja e telefonit. Shkohet madje edhe në shtëpi për kontroll, pa mandat. Është bërë normale kjo. Në rastin e zonjës Balluku duhet parë në vazhdimësi. E gjitha kjo gjë e krijuar i ka ngelur në derë Gjykatës Kushtetuese, që do të duhet realisht të japë interpretim shterues në këtë rast”, shtoi avokati Përparim Çaça. (A2 Televizion)
