Bardhi-Ramës: Nuk dhe garanci për mbetjet, kjo çështje nuk do të harrohet

Nga A2 CNN
12 Shtator 2024, 11:10 | Politikë

Bardhi-Ramës: Nuk dhe garanci për mbetjet, kjo çështje nuk

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi garanci nga kryeministri Edi Rama për mbetjet në anijet që janë nisur nga Porti i Durrësit dhe raportohet se po kthehen në Shqipëri pasi nuk janë pranuar nga vendet që kishin si destinacion.

“Duhet të vije këtu të jepje përgjigje politike. Ku do t’i çosh mbetjet që po të kthehen? Çfarë ke bërë deri më sot për të kontrolluar mbetjet e rrezikshme? Çfarë masash kanë marrë autoritetet e tua për kompanitë që prodhojnë mbetje të rrezikshme dhe nuk i përpunojnë sipas ligjit, për të kursyer më shumë në kurriz të interesit publik. Pse të ka dështuar kontrolli i të gjitha institucioneve?”, tha Bardhi, raporton A2 CNN.

“Çfarë masash ka marrë administrata? Se the po heton prokuroria, administrata heton për një gjë komplet ndryshe. Edhe sot nuk dhe garanci, the nuk e dimë çfarë janë, nuk janë bërë analizat... Se mendon që kjo çështje do të harrohet. Në fakt nuk ka për t’u harruar, sepse është çështje e sigurisë kombëtare”. 

Replika e Bardhit erdhi pasi Rama tha se nuk ka asnjë analizë që të vërtetojë se ato mbetje janë të rrezikshme, sepse asnjë shtet nuk i ka bërë analizat.

Historia e “mbetjeve të rrezikshme”

Nga të dhënat e Institutit të Statistikave del që në gjysmën e parë të vitit, nga Porti i Durrësit janë nisur gati 14 mijë tonë mbetje për në shtete të tjera. Ecuria e ngjashme rezulton edhe për janar-qershorin e një viti më parë.

Transferimi i mbetjeve të tilla nga një vend në tjetrin është një proces i rregulluar mirë dhe fortë me anë të ligjit ndërkombëtar, që është Konventa e Bazeli në këtë rast. Por një alarm i ngritur nga “Basel Action Netëork”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara më 5 gusht se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” ishte zhdukur që në fund të korrikut nga radarët afër Cape Toën në Afrikën e Jugut, prodhoi atë që po konsiderohet si “skandali me mbetjet e rrezikshme.”

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Netëork”, ngriti shqetësimin se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike me destinacion Tajlandën.

Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit për mbetjet e rrezikshme që prej vitit 1998, ndërsa përgjegjësia për kontrollin e tyre është e një kompanie koncesionare dhe jo e Portit të Durrësit. Terminali lindor në portin e Durrësit menaxhohet përmes një koncesioni të vitit 2013 nga kompania gjermane EMS Shipping and Trading Gmbh, por menaxhimi i terminalit nga kjo kompani është vënë në pikëpyetje.

Përtej vetë-deklarimit, për të eksportuar mbetjet elektrike nga Shqipëria, nevojitet një leje paraprake nga Tajlanda si vend destinacion, si dhe vendet transit për të eksportuar mbetje të rrezikshme. Kjo leje duhet të përfshijë informacione mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacionin dhe metodën e trajtimit ose asgjësimit të tyre.

Eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm nëse mbetjet do të menaxhohen në mënyrë të sigurt në vendin e destinacionit, sipas standardeve mjedisore dhe shëndetësore të përshtatshme.

Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga Kurum dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023, raporton A2.

Në një deklaratë në 14 gusht, Maersk njoftoi se po punonte për t’i kthyer kontejnerët e dyshuar në anijet Maersk Compton dhe Maersk Candor në Shqipëri. Këto ndërkohë janë pamjet satelitore që konfirmojnë se mbetjet e nisura nga Durrësi po kthehen pas.

Në mesin e shtatorit anija që po bën transportin e tyre pritet të mbërrijë në Portin e Lisbonës në Portugali, ndërsa deri në fund të muajit ato pritet të mbërrijnë në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos