“Beci i pandehur nga SPAK”, Berisha: U përdor për vjedhje nga mazhoranca, tani e flakin

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 15:11 | Politikë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK. Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se Beci është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, por ky informacion i është mbajtur i fshehtë publikut.

Sipas Berishës, kjo është një skemë e mirëorganizuar nga mazhoranca, e cila ka përdorur Becin. për veprime të dyshuara korruptive dhe tani është gati ta flakë, shkruan A2 CNN.

“Sigurisht që lajmi u mbajt i fshehtë fillimisht nga Arben Kraja, që në këtë rast është bashkëpunëtor. Bëri gjithçka që kjo çështje të mos dilte në dritë, por faktet janë tepër evidente. Kam denoncuar në mënyrë të përsëritur, por Beci po përdoret si limon i shtrydhur dhe po flaket. Vodhën bashkë dhe tani e hedhin tej”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët mbi propozimin e Agron Shehajt të partisë “Mundësia”, që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët jopolitik për Bashkinë e Tiranës, Berisha e mirëpriti atë pjesërisht.

“Që partitë opozitare të dalin me një kandidat të përbashkët, këtë e mbështes plotësisht. Por të pretendohet që kryetari i Bashkisë së Tiranës të jetë një njeri jopolitik, këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Ai duhet të ketë një program të qartë, që çmonton gjithë batërdinë e narkoshtetit në Tiranë”, u shpreh Berisha.

Berisha nuk harroi denoncimet mbi krimin zgjedhor që pohon se ka ndodhur më 11 maj, duke përmendur rastin e votimeve në burgun e Elbasanit.

“Është e pabesueshme. Nga 102 vota të vlefshme në burgun e Elbasanit, Sara Mile merr 92. Ajo është e adhuruara e burgut, dhe kjo tregon kontrollin total të bandave mbi zgjedhjet. Ulsiun e kontrollojnë vetëm bandat… Princesha e burgut”, tha kreu demokrat.

Kryedemokrati u pyet edhe mbi të ardhmen politike të Ervin Salianjit, pas përfundimit të dënimit me burg.

“Pozicioni i zotit Salianji në PD do të jetë pozicion beteje”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos