Kundër rritjes së pagave, Berisha si Rama ndaj gjyqtarëve: Absurdi u ka shtuar oreksin

Nga Anesti Barjamemaj
12 Qershor 2025, 15:44 | Politikë

Pas Edi Ramës që e konsideroi si lajthitje kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për një tjetër rritje të pagave me 700 Euro në sistemin e drejtësisë, edhe Sali Berisha shpreh hapur kundërshtitë e tij me togat e zeza. Në një konferencë për mediat, i pyetur nga A2 CNN, Berisha akuzoi gjyqtarët dhe prokurorët se flenë mbi dosje dhe marrin ryshfete.

“E kam theksuar dhe e theksoj se prokurorë dhe gjykatës në Shqipëri, paguhen më shumë se çdo gjykatës dhe prokuror në gjithë gadishullin e Ballkanit dhe baraz me disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin”, tha ai.

Sipas tij pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të prishin piramidën e pagave, ndaj propozon që të jenë në proporcion me gjithë qytetarët e tjerë. “Ne do bëjmë gjithçka që vendi të ketë sistemin e drejtësisë dhe i garantoj kurrë me rrogat më të larta në rajon, por me rroga në proporcion me vendin”.

Berisha u pyet edhe për procesin e rinumërimit të votave, ku deri më tani ka rezultuar se vota ka lëvizur brenda llojit. Pavarësisht ndryshimeve nga dy proceset e numërimit, lideri i Partisë Demokratike thotë se nuk mund të flitet për vjedhje votash mes kandidatëve të opozitës. “Mendoj se as unë, as ju nuk mund të flasim për vjedhje, për gjëra të paprovuara. Ata që dyshojnë se u janë devijuar votat, atyre ne u themi, u mbështesim për transparencë. Por kjo nuk vjen se partia ndan dyshimin e tyre. Jo. Nuk vjen nga kjo”.

Theksoi sërish se do të mbështesin të gjithë kandidatët në kërkesat e tyre për rinumërimin e votave, pasi sipas tij transparenca është prioritet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos