Vendimi i Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës që rrëzoi padinë për shpifje të Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës, në lidhje me çështjen Toyota Yaris, i dha mundësinë kryeministrit të shprehë edhe njëherë gjithë pakënaqësinë e tij me gjyqësorin.
Rama evidenton se padia e vitit 2018, mori përgjigje nga shkalla e parë e gjyqësorit pas plot 7 vitesh, shkruan A2.
“Gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!! Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!”, lexohet në postimin e Ramës në “X”.
Arsyetimi i jep mundësinë t’i rikthehet edhe njëherë kërkesës për rritje pagash që vjen nga Unioni i Gjyqtarëve, ndaj të cilës është pozicionuar publikisht kundër: “Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!”
Shtruar në formën e një pyetjeje, duket se kërkon ndëshkim nga qeverisja e gjyqësorit: “A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!”
Më herët, për çështjen në fjalë ka reaguar edhe Lulzim Basha, i cili e konsideroi fitore vendimin e Gjykatës së Tiranës. Sipas ish-kryetarit të PD, gjyqtarja ka vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës. (A2 Televizion)