Kreu i delegacionit të eurodeputetëve që vizituan Shqipërinë të martën, Marco Tarquinio, ka konfirmuar për A2 CNN se Fredi Beleri nuk ka qenë pjesë e grupit që është takuar me kryeministrin Edi Rama.
Tarquinio deklaroi se Rama i ka takuar në mëngjes, në hotel, në një takim informal, por Beleri nuk ka qenë i pranishëm. Vetë Fredi Beleri, i pyetur nga A2 CNN, nuk konfirmoi dhe as mohoi se ishte i pranishëm në takim.
A2 CNN mësoi se takimi zyrtar, që do të duhej të zhvillohej në orën 10:00 në kryeministri, është anuluar një ditë më parë nga selia e Kryeministrit për shkak të impenjimeve të Ramës.
Një prej eurodeputetëve pohoi për gazetarët se gjithsesi Kryeministri kishte gjetur kohën për t’i shkuar herët në mëngjes në ambientet e hotelit ku po qëndron ky delegacion. Vetë ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, tashmë pjesë e Parlamentit Europian, kur u pyet drejtpërdrejtë nga gazetarët, ngriti supet dhe nuk konfirmoi nëse ka shtrënguar duart me Ramën apo nëse ishte pjesë e takimit informal mes Kryeministrit dhe eurodeputetëve në hotel mëngjesin e sotëm.
Gjithashtu Kryeministria nuk konfirmon që të ketë pasur një takim mes Ramës dhe Belerit. (A2 Televizion)