Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp deklaroi se doli para mediave "për të rikujtuar përsëri takimin famëzi të Arubas, që u bë midis qeveritarëve shqiptarë dhe grupeve të fuqishme të narkosit shqiptar dhe ndërkombëtar".
"Tashmë, ky takim nuk është vetëm kronikë e medieve shqiptare. Nuk është vetëm denoncim i Sali Berishës, i cili në atë kohë, po të bëni një kontroll të kronikave tuaja, të lajmeve, i kam shtruar drejtpërdrejt pyetjen Edi Ramës: Ke marrë pjesë ti në takimin e Arubas apo nuk ke marrë? Takimi i Arubas, sipas interceptimeve, tani nuk kemi më hamendje, sipas interceptimeve të antimafies italiane, të publikuara në një libër që ka dalë këto ditë, është zhvilluar me datën 19 janar të vitit 2019. Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në Aruba, që është një nga zonat më të hapura, më të lira të botës, protektorat i Mbretërisë së Holandës. Interceptimet për arsye, ta themi politike, ndonëse i kanë emër për emër pjesëmarrësit qeveritarë në takim, nuk janë bërë publike. Por, autori nuk ka më asnjë dyshim se kanë qenë ministra, zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, dhe në mundësinë më të madhe, vetë Edi Rama", tha Berisha, shkruan A2.
"Në një takim famëzi ku është diskutuar për Syrin dhe Malin e Tiranës, për kullat dhe stërkullat e Tiranës, sipas interceptimeve të sakta të antimafies italiane. Këto interceptime disponohen dhe nga disa agjenci të tjera të vendeve partnere, Belgjika, Mbretëria e Holandës dhe agjenci të tjera. Por, unë citoj këto se kanë dalë në procese gjyqësore, nuk jam i autorizuar të citoj agjenci që nuk bëjnë njoftim se e disponojnë dosjen Aruba. Pra, siç e shihni, ne kemi një kryeministër dhe një kabinet që është bashkëpunëtor i ngushtë i atyre që janë shpallur sot organizata narko-terroriste ndërkombëtare", shtoi Berisha. (A2 Televizion)