Belind Këlliçi u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku është thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor të njohur si “5D”.
Pas daljes, Këlliçi tha për mediat se u “pyet nga avokatët e drejtorëve që sot janë në burgun e Fierit”.
“Jam pyetur edhe nga gjykata për rrethanat dhe kam dhënë përgjigjet e mia shteruese. Jam pyetur në mënyrë intimiduese për deklaratat e mia publike, më kanë kërkuar edhe llogari avokatët mbrojtës të personave të akuzuar. Më pyetën edhe nëse e fitova apo jo Bashkinë e Tiranës. Por, meqë kjo nuk ishte çështje në themel, përgjigjen po ua jap këtu avokatëve: Më mirë këtu ku jam sot, sesa si fituesi i zgjedhjeve të vitit 2023”, tha Këlliçi, shkruan A2.
“Jam pyetur për burimet e mia të informacionit. Përgjigjet e mia ishin shteruese dhe me shumë etikë. Beteja ime politike dhe individuale me ish-kryebashkiakun e Tiranës është mbyllur, por beteja ime politike me modelin e Veliajt do të vijojë deri në fund”, shtoi Këlliçi. (A2 Televizion)