Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, deklaroi se buxheti konsiderohet nga qeveria si “i madh” pasi janë rritur taksat.
“Ky buxhet “i madh” vjen nga paketa agresive e qeverisë në rritjen e taksave. Por, e ka shitur sikur ka ulur taksën e produkteve të shportës, por shqiptarët do ta shikojnë që asnjë ndikim nuk do të ketë tek xhepat e tyre. Së pari, nuk është se shqiptarët do të shkojnë ta marrin me 20% më pak produktin, por ato do të shkojnë ta blejnë me faturë siç është dhe pastaj, pasi të grumbullojnë faturat do të shkojnë për të tërhequr paratë, njëlloj si ky kompensimi që ishte për bujqësinë, që ishte totalisht i dështuar. Do të rimburësohen. Edhe e gjithë pjesa e TVSH-së që ulet është simbolik në raport me rritjen e taksave në sektorë të tjerë”, tha Mziu në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“TVSH-ja do të aplikohet nga 20 në 21%. Automatikisht, kur rritet nga 20 në 21, është rritur 5% çmimi i produkteve. Pra, nëse tregtari ka blerë produktin 100 lekë, nuk do ta shumëzojë me 20, por me 21, që të paguajë TVSH-në. Ajo që paguan qytetari është fiks 5%. Pra, nuk është vetëm 1%-shi, por është pesë herë më shumë diferenca që rritet. Së dyti, heqja e taksës së karburantit. Atë e ka kaluar te automjetet, taksa e të cilave do të shtohet deri në 3.8 herë më shumë. Gjithashtu, nafta nuk do të jetë 28 lekë më lirë sesa sot, pasi do të nisin makinacionet”, shtoi Mziu.
Sipas tij, “ky buxhet quhet i madh sepse janë rritur taksat, por që nuk konvertohet në një të mirë materiale të familjarëve”. (A2 Televizion)