A jeni penduar për listën e Tiranës? Ja si përgjigjet drejtuesi politik i PD, Belind Këlliçi

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 22:15 | Politikë

Drejtuesi politik i PD për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Belind Këlliçi i dha në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, përgjigje pyetjes, nëse është penduar për listën e qarkut më të madh të vendit.

Këlliçi tha se lista perfekte nuk ekziston në politikë, por sqaroi se ajo e PD për Tiranën ishte e ndikuar nga rrethanat ku ndodheshim.

“Listë perfekte nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë. Në asnjë forcë politike nuk mund të ketë një listë perfekte, për shkak të egove, të ambicieve, të karrierave politike, për shkak të situatave aktuale, rrethanave që mund të të kushtëzojnë për të patur një vendimmarrje të caktuar. Pra listë perfekte mos prisni kurrë, nuk do të ketë dhe nuk ka patur ndonjëherë në asnjë forcë politike”, tha Këlliçi në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, në A2 CNN.

Deputeti i sapozgjedhur demokrat, pranoi po ashtu se ka pasur mundësi për të bërë më mirë me kandidatët e Tiranës, kur u vendos përballë faktit se ajo dukej në sytë e publikut si një listë e vjetër dhe e konsumuar.

“Që a mund të kishte hapësira për të punuar më shumë, për t’u hapur më shumë, për të patur qëndrime të ndryshme, patjetër kjo është e dukshme edhe pa diskutim kjo është e pranueshme”, pranoi Këlliçi në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, në A2 CNN.

Më tej ai përmendi 4 emra, mes të cilëve edhe veten që do të hyjnë në Parlament në shtator dhe përbëjnë një brez të rinj politikanësh, që dolën nga lista e kontestuar e Tiranës.

“Me shumë respekt për të gjithë ata që kritikojnë dhe kërkojnë më shumë nga opozita, unë nuk mendoj se Besart Xhaferri është i vjetër në politik, kreu i FRPD. Nuk besoj se Klevis Balliu është i vjetër, nuk besoj se Belindi vet, unë jam i vjetër. Nuk besoj se Erisa Xhixho, edhe pse është aleate, është e vjetër. Sigurisht ka pasur kontributor, qëndrestar historik të PD në atë listë, por edhe të rinj ka pasur në listë. Dhe të lexova katër emra, pra nga 12 që është 1/3 e listës. Të mbetemi te thelbi, padyshim që lista do të jetë e komentueshme. Çdo listë do të jetë e komentueshme dhe do jetë gjithmonë e tillë situata”, deklaroi Këlliçi në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos