I pyetur në lidhje me thirrjet kundër tij në protestë, kryedemokrati Sali Berisha solli në vëmendje episode nga e shkuara, duke u shprehur se ndaj tij janë ndërmarrë atentate, dhe madje ka pasur thirrje për varje në litar, apo “Berisha në hell”.
Gjatë intervistës në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Berisha u ndal edhe te thirrjet e Ramës apo diplomatëve për arrestimin e tij.
“Që nga viti 1991 e deri më sot ka patur gjithnjë, herë qindra, herë mijëra, herë dhjetëra mijëra, që kërkonin ‘Sali Berisha në litar!’, ‘Sali Berisha në burg!’ Brigadat vullnetare të Hysni Milloshit, kur përmbysën shtatoren e diktatorit, ata donin me çdo kusht Sali Berishën në hell! Më vonë në 97-ën rebelimi i kuq kundër Berishës, u ndërmorën atentate dhe përpjekjet më të mëdha, sepse Sali Berisha ishte problemi i tyre! Në viti 1999, tetë muaj para akuzës në Gjykatën e Hagës për Millosheviçin, jam akuzuar nga Arben Rakipi, ish- agjent i Sigurimit të Shtetit për krime kundër njerëzimit. Gazetarët u habitën. Gazetari i tha ke ndonjë provë? Ai nxori një shishe, pepsi-cola, ‘ka përdorur këtë lëndë helmuese në Vlorë’! Isha unë në opozitë, besoj i ke të freskëta deklaratat e Ramës për arrestimin e Sali Berishës. Arrestimin e Sali Berishës e kërkuan edhe diplomatë të huaj, dhe ajo ndodhi”, tha Berisha. (A2 Televizion)