Pas daljes nga SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një tjetër akuzë të rëndë ndaj drejtësisë dhe strukturave të reja gjyqësore, duke vënë në shënjestër gjyqtaren Irena Gjokën dhe zyrtarë të drejtësisë që ai i quan "vetorët e Edi Ramës".
Në një deklaratë të gjatë për mediat, Berisha zbuloi një rast të asaj që e quajti “kontratë të falsifikuar”, të paraqitur nga “Irena me 5 mbiemra”, një referencë që ai përdor gjyqtaren, shkruan A2 CNN.
“Kjo kontratë qiraje, sipas tyre, është lidhur në Fier më 13 shkurt 1996, por në dokument shkruhet se është hartuar sipas neneve 801 dhe 825 të Kodit Civil të vitit 2015. Po a ka tallje më të madhe me shtetin dhe me ligjin?”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se dokumenti në fjalë është i panoterizuar, por gjithsesi është pranuar nga autoritetet si dokument zyrtar për të justifikuar një shumë prej 60 milionë lekësh, të cilat ai i konsideroi para të pista që rrjedhin nga aktivitete të paligjshme.
“Tatimet e Fierit u janë përgjigjur se nuk ekziston asnjë gjurmë për këtë shumë. Çfarë bëjnë vetorët e Edi Ramës? E urdhërojnë Irenën të paguajë tatime për një marrëveshje fiktive të vitit 1996, për një shumë që nuk është deklaruar kurrë!”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha e cilësoi këtë rast si “simbolin e degjenerimit të drejtësisë së re” dhe tha se me këtë akt, “vetorët e Ramës janë bërë bashkëpunëtorë në krimin financiar të Irenës me 5 mbiemra”.
Ai e mbylli deklaratën me tone të ashpra, duke thënë se “ky nuk është më një shtet, por një kartel institucional i kapur nga paratë e krimit dhe i kthyer në shërbim të Edi Ramës”. (A2 Televizion)