Refleksione pas 11 majit, Qori dhe Shabani të kënaqur me rezultatin: Opozitë ndaj PS E PD

Nga Anesti Barjamemaj
1 Qershor 2025, 13:10 | Politikë

Pritshmëritë i kishin për më shumë, por realiteti i bën të besojnë se edhe një mandat në Parlament është rezultat dinjitoz.

 “Unë do ta konsideroj sukses sepse në kushte jashtëzakonisht të vështira, me një asimetri  të frikshme burimeve partive të tjera dhe Lëvizjes Bashkë, ne arritëm që të hynim në Kuvend”, shprehet Arlind Qori

“Një forcë e re me ca të rinj që vijnë nga aktivizim, që krijojnë një koalicion të rinjsh, merr mbi 64 mijë vota, e parë në këtë këndvështrim është spektakolar. Nuk ka ndodhur kurrë”, deklaron Endrit Shabani.

Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet arritën që të marrin nga një mandat secila, por as Arlind Qori e as Endrit Shabani nuk do jenë përfaqësues të elektoratit të tyre. Pavarësisht se nuk do të jenë vetë në Kuvend, pohojnë se do të bëjnë një opozitë ndryshe, duke mos përjashtuar as protestat.

“Një marrëdhënie që nuk është parë asnjëherë në 35 vite pluralizëm në Shqipëri, të një opozite që ka forcën e fjalës, forcën e argumentit, forcën e propozimeve ligjvënëse, forcën e protestave jashtë Kuvendit, forcën e protestave jashtë Kuvendit me grupe shoqërore të cilat presin që t’i përfaqësojmë brenda dhe jashtë Parlamentit”, tha Qori.

“Raporti me mazhorancën do të jetë ai që ka qenë, ne jemi në opozitë, ne jemi këtu për të transformuar Shqipërinë, një mandat është shumë pak, 5 mandate në Këshilla janë shumë pak, megjithatë ne do bëjmë atë rol që kemi brenda Parlamentit, brenda Këshillave dhe në rrugë pasi ne jemi aktivistë të shoqërisë civile”, shton Shabani.

Mazhoranca socialiste kërkon vetëm një mandat për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, e nëse troket në derën e Lëvizjes Bashkë pritet ta gjejë të mbyllur, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet duket se lë një dritare hapur vetëm për ato nisma që do të jenë në shërbim të qytetarëve. 

“Unë nuk besoj që një shumicë parlamentare, kaq e korruptuar dhe kaq e pacipë të propozojë ndonjë ligj për të mirën e vendit, sikur të propozonte ndonjë ligj për të mirën e vendit do isha i lumtur, por kjo gjë nuk do të ndodhë”, deklaroi Qori.

“Nëse ka një nismë për të rritur pensionet, për minimumin jetik, për transformimin e Shqipërisë për ta bërë njësoj si vendet e BE. Unë nuk shoh asnjë arsye që kushdo që shkon atje në Parlament, jo vetëm nga koalicioni ynë por edhe nga forcat e tjera të reja, të mos votojë për këto ndryshime. Por nuk bëhemi shtojcë e një mazhorance që kërkon të bllokojë punën e SPAK”, u shpreh mes të tjerash Shabani.

Bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe Partinë Socialdemokrate e përjashtojnë kategorikisht, por kur bëhet fjalë për një marrëdhënie korrekte mes forcave të reja dora mbetet shtrirë.

Arlind Qori: “Pjesa tjetër e opozitës, nëse i referohemi Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj ne i konsiderojmë bashkëfajtore për gjendjen ku ndodhet Shqipëria, kështu që nuk na lidh gjë dhe nuk presim të kemi ndonjë lloj bashkëpunimi. Me forcat e tjera do të varët gjithçka nga qëndrimi i tyre, sa seriozisht do ta marrin  përfaqësimin e votuesve të tyre dhe shoqërisë shqiptare, çfarë veprimesh dhe qëndrimesh nëse do të jenë parimore, konseguente, të guximshme, apo thjesht oportuniste, që do të mbajnë në Kuvendin e Shqipërisë”. 

Endri Shabani: “Për shkak të asaj që përfaqëson PSD, unë nuk e konsideroj forcë të re dhe nuk shoh arsye pse duhet të bashkëpunojmë me PSD dhe për pasojë duke mos bashkëpunuar me PSD nuk  arrijmë numrin e nevojshëm për 7 mandate për një grup parlamentar, thënë kjo nuk shoh asnjë arsye për të mos bashkëpunuar me forcat e reja, me Redi Muçin, Erald Kaprin dhe Agron Shehajn”. 

Si Qori dhe Shabani shprehen se jetën e tyre politike do ta vijojnë edhe jashtë Kuvendit dhe premtojnë se përfaqësuesit e tyre në Parlament do të ngrenë zërin për çdo qytetar që u besoi votën në 11 Maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos