Edvin Kulluri nga Djathtas 1912 ishte i ftuar në emisionin "Off the Record" me Andrea Dangllin në A2 CNN, nga ku bëri një parashikim të frikshëm për vendin. Ai tha se mund të ketë përplasje të forta institucionale mes SPAK, GJKKO dhe mazhorancës.
“Në zgjedhjet e 11 majit dështuan të gjithë. Dështoi mazhoranca, dështoi e gjithë opozita. Këto zgjedhje nuk sollën as ndryshim dhe këto zgjedhje as do e përmirësojnë qeverisjen, por do ta përkeqësojnë akoma. Kjo lloj harbutërie, e cila vihet re edhe te deklarata e SHBA, kjo lloj arrogance, kjo lloj pangopshmërie, në kuptimin kushtetues, ekonomik, korruptiv, në marrëdhënie me krimin, këtë vend nuk do ta bëjë më të mirë, por më të keq sesa është.
Unë jam realist pasi kam parë ’97 dhe ’91, i kam parë të gjitha ngjarjet këto 34 vite. Unë i kam përjetuar në vet të parë gjërat.
Pavarësisht nga fasadat e Ramës, unë pres një vit shumë të vështirë për Shqipërinë. Unë mendoj se do të kemi përplasje të forta. Mos harroni një gjë, nëse u morën në gjykim Berisha dhe Meta, në PS do të ketë katrahurë në raport me drejtësinë.
Unë nuhas një përplasje shumë të fortë mes SPAK, GJKKO dhe mazhorancës. Kjo do ta fusë vendin në një krizë shumë të rëndë institucionale, pse jo dhe politike, por edhe sociale. Ajo që ndodhi me arrestimin e Veliajt dhe reagimi i qeverisë, i Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të paprecedentë, ka qenë një tentativë për grusht shteti, ka mundësi të çojë në skena shumë më të rënda dhe shumë më problematike dhe në një përplasje institucionale që mund të cenojë mbase edhe rendin publik”, tha Kulluri. (A2 Televizion)