Berisha: Narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij! Edi Rama e kaloi sigurinë e gjykatave tek Policia e Xhepit

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 13:28 | Politikë

Berisha: Narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij! Edi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, deklaroi se "narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij", duke iu referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku u vra Atrit Kalaja.

"Kur them narkoshteti, natyrisht e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por dorasi nuk mund ta kryente kurrë aktin në qoftë se shteti do ishte shtet dhe jo narkoshtet. Kurrë! Salla e gjyqit është e presupozuar të jetë vendi më i sigurt i shtetit për vetë kompleksitetin e proceseve. Dhe në sallën e gjyqit u shkreh një batare kundër një gjykatësi, sikur të ishte në mes të rrugës. Sikur të ishte në një shesh, në një kafene, por në një institucion shtetëror", tha Berisha, shkruan A2.

"Unë dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8.7.2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të qeverisë të datës 28.4.2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave. Pra, pas ndryshimeve, më parë ka qenë garda, por u ngarkua në vitin 2010 me një vendim qeveria, siguria e gjykatave dhe prokurorive mbrohej nga Policia e Shtetit. Edi Rama e kalon këtë siguri nga Policia e Shtetit tek Policia e Xhepit. Merr vendim me datën 8.7.2020 ku ua heq sigurinë ndaj dhe Koçiu lante duart. Policia nuk ka përgjegjësi, thoshte. Pra, ia dha patronazhistëve, policisë së xhepit, mbrojtjen", shtoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos