Territorialja dhe Zgjedhorja, zbulohen projektvendimet e Socialistëve për dy komisionet e posaçme

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 09:37 | Politikë

Territorialja dhe Zgjedhorja, zbulohen projektvendimet e Socialistëve

Dy ditë pasi në Kuvend, ligjvënësit e PS shprehën vullnetin për nisjen e punës të dy komisioneve të posaçme, atij për reformën territoriale dhe për reformën zgjedhore, socialistët e kanë çuar përpara idenë e tyre duke përgatitur edhe projektvendimet përkatëse.

A2 CNN ka siguruar dy projektvendimet e propozuara nga socialistët. Sa i përket Komisionit për Reformën Zgjedhore, ai “ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore bazuar në trajtimin e rekomandimeve të raporteve të mëparshme të trajtuara të OSBE/ODIHR-it, rekomandime në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, si dhe të raportit të pritshëm për zgjedhjet e 11 majit 2025, por edhe trajtimin e rekomandimeve të institucioneve të përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave joqeveritare, si dhe rregullat ligjore për financimin e partive politike”.

Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 anëtarë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të PS dhe 8 anëtarë përfaqësues të grupeve të tjera parlamentare. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike, ndërsa do të të ngrihet edhe grupi i ekspertëve teknikë.

Sakaq socialistët sipas Taulant Ballës synojnë një Kod Zgjedhor që të jetë gati edhe për zgjedhjet për Parlamentin Europian, në rast se Shqipëria bëhet anëtare e BE, përveçse për të përmbushur rekomandimet e ODIHR.

Mazhoranca po ashtu nuk e ka fshehur dëshirën për të ulur numrin e bashkive në vend, por Balla dy ditë më parë teksa shprehte qëndrimet e PS, u mundua të tregohej i kujdesshëm në respekt të kundërshtarëve politik.

Në projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Reformës Territoriale po ashtu bëhet me dije se ai do të përbëhet po nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të PS dhe 6 do të jenë përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë.

Ky komision i posaçëm pritet të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore, e po ashtu të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos