Berisha në Pogradec: Ngrihuni kundër kullave që po ndërtohen

Nga Arestina Skënderi
11 Janar 2025, 14:49 | Politikë

Sali Berisha i bëri thirrje pogradecarëve të dalin kundër ndërtimeve të kullave që sipas tij po zhbëjnë identitetin e Pogradecit. Kreu i PD u takua me  aktivistë dhe urbanistë të qytetit të Pogradecit për të diskutuar mbi temën: ‘Filozofia e betonit’ nga Tirana në Pogradec.

“Dhe u garantoj që, ato kulla që fillojnë aty, në qoftë se qytetarët nuk i dalin zot këtij qyteti, do të vazhdojnë deri në Tushemisht dhe kur të mbarojë ky territor do të kthehen nga Pogradeci në Lin”, tha Berisha.

Kryedemokrati Berisha i dha porositë grupit të punës për zgjedhjet e 2025 në Pogradec, i cili drejtohet nga Ivi Kaso. “Të uleni me çdo pogradecar, të sigurt në fitoren e 11 majit. Përmbysëm një diktaturë, do të përmbysim diktaturën e dytë, nuk ka fat më të madh për një njeri, fat më të madh për një gjeneratë se sa të përballet dhe të përmbysë një diktaturë”.

Këtë vit zgjedhor qarku i Korçës ka humbur një mandat deputeti për shkak të uljes së numrit të popullsisë, shkruan A2 CNN. Në zgjedhjet parlamentare të 2021 demokratët arritën të merrnin 5 mandate, por këtë herë njëri prej deputetëve Selaudin Jakupllari është distancuar nga Berisha, duke lënë te hapur  diskutimin nëse PD do ta rikuperojë apo jo këtë mandat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos