Berisha nga Kuçova: Ballkani i Hapur do të shfuqizohet ditën e parë të qeverisjes së PD

Nga A2 CNN
27 Prill 2025, 21:15 | Politikë

Berisha nga Kuçova: Ballkani i Hapur do të shfuqizohet ditën e

Gjatë një takimi elektoral në Kuçovë, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se “Ballkani i Hapur” do të shfuqizohet që në ditën e parë të ardhjes në pushtet të së djathtës, ndërsa garantoi fermerët shqiptarë për mbështetje të fortë financiare.

Berisha theksoi se fermerët shqiptarë ndodhen në një situatë shumë të vështirë për shkak të politikave të gabuara të qeverisë aktuale, duke shtuar se 80% e prodhimeve bujqësore në tregjet shqiptare vijnë nga Serbia, pa doganë. Ai premtoi se subvencionet për fermerët shqiptarë do të pesëfishohen, duke i barazuar me ato të vendeve të rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.

"Ju garantoj se prodhimet tuaja do të mbrohen në sezon. Ballkani i Hapur do të griset ditën e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike. Taksa armiqësore ndaj fermerëve, taksa simetrike e TVSH-së, do të marrë fund. TVSH do të rikthehet tek fermeri dhe jo tek grosisti. Dhe ç’bëri Edi Rama këtë vit, më falni. 8 miliardë euro, për 380 mijë fermerë të cilët japin 20% të prodhimit të brendshëm, të cilët punësojnë 500 mijë shqiptarë. Sa dha? Dha gjithsej 57 milionë euro, nga të cilat fermerët marrin subvencion 32 milionë. Fjala ime e nderit, se kjo shumë do të 5-fishohet. Po. Se ju për çdo njësi prodhimi, serë, arë apo çfarë do qoftë, për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbajtur, do të financoheni njëlloj siç financohen fermerët e vendeve përreth. Pra do 5-fishohet subvencioni dhe ju garantoj se prodhimet tuaja do të mbrohen në sezon", u shpreh Berisha.

Ai premtoi gjithashtu investime të konsiderueshme në sistemet e kullimit dhe vaditjes së tokave bujqësore, me një fond prej 70 milionë eurosh në vit, duke theksuar se hidrocentrali i Banjës do të shfrytëzohet për të dyfishuar sipërfaqet e ujitura në Shqipëri.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha iu drejtua edhe biznesit të vogël, duke premtuar uljen e çmimit të energjisë nga 18 në 6 lekë.

“‘Made in Albania’, prodhimi shqiptar do të jetë krenaria jonë. I garantoj biznesmenët e Kuçovës dhe të Shqipërisë. Biznesi i vogël, energjia zbret nga 18 në 6 lek. Bashkitë s’do mund të vendosin kurrë taksa e tarifa më shumë se 1%", theksoi kreu i PD.

Lideri demokrat nuk la pa përmendur dhe rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kuçovë, duke akuzuar qeverinë për grabitje të mandatit të Lefter Maliqit. "Ligji do të veprojë me forcën më të madhe ndaj atyre që grabitën fitoren tuaj", theksoi Berisha para mbështetësve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos