Endrit Braimllari, me anë të një videoje në Facebook, u shpreh se në prag të zgjedhjeve të 11 majit duhet “të lëmë mënjanë çdo personazh qesharak, që qëllim të vetëm ka të marrë ndonjë mandat qyl nga Partia Demokratike”, duke iu referuar Ilir Metës.
“Na ndajnë vetëm 14 ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, ndaj është koha të bashkojmë energjitë dhe votat për numrin 5, për Partinë Socialiste, që e ardhmja europiane e vendit të bëhet realitet! Le të lëmë mënjanë çdo personazh qesharak, që qëllim të vetëm ka të marrë ndonjë mandat qyl nga Partia Demokratike, për t'iu bërë më pas karshillëk demokratëve”, thotë Braimllari, shkruan A2.
Në një intervistë ekskluzive për “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, Meta theksoi se Endrit Braimllari “ishte simboli i nepotizmit në parti dhe i vetmi dëm që na bëri është se na mori financieren e Partisë për 20 vite, pa e lejuar të bënte dorëzimet në mënyrë ligjore dhe etike, siç dorëzohet një detyrë me përgjegjësi financiare”.
“Ah, po. Edhe databazën e partisë. Rama e kishte projektuar për kryetar të LSI, por shumë mirë që e futi në listën e tij për Tiranën se na ndihmon të marrim shumë më tepër vota socialistësh të ndershëm, që neveriten kur shikojnë shëmtira të tilla morale, që vetëm Rama mund t’i pranojë nga dëshpërimi dhe perversiteti për diversion”, shtoi më tej Ilir Meta.
(A2 Televizion)