Berisha: PD ka besim se udhëheqja politike e Kosovës do marrë pafajësinë, por në skenarët e errët, Rama ka duart e veta të zeza

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 13:38 | Politikë

Berisha: PD ka besim se udhëheqja politike e Kosovës do marrë

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në “skenarët e errët” kundër drejtuesve të luftës çlirimtare. Gjatë fjalës së tij në Kuvend ai kujtoi se PD ka qenë organizatore e rezolutës për njohjen e Republikës së Kosovës që në vitin 1991 dhe ka mbështetur si presidentin Ibrahim Rugova, ashtu edhe UÇK-në.

“Tani, vetëm dy fjalë do them lidhur me shpifjet e ulëta, amorale që bëri njeriu që di vetëm të shpifë. Kjo sallë ka memorie. Kjo parti është organizatore e rezolutës për njohjen e republikës së Kosovës në atë kohë kur ju dridheshit, në vitin 1991. Qeveria e saj u dha strehë dhe të gjitha mundësitë Adem Jasharit dhe komandantëve të tjerë të stërviten dhe të aftësohen. Qeveria e saj ia doli të kalojë në vitin 1994, rezolutën e miratuar nga 137 vende. Qytetarëve të Kosovës u njihej në OKB e drejta e vetëvendosjes, rezolutë që ishte bazë e dokumentit të parë të Rambujesë. Kjo parti mbështeti fuqishëm si presidentin Rugova, ashtu edhe UÇK-në dhe ajo i konsideron ata luftëtarë të lirisë. Kjo parti ishte promotore kryesore e njohjeve ndërkombëtare dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Tiranë".

Berisha e quajti rreshtimin e mazhorancës me Aleksandër Vuçiçin “tradhtinë më të madhe ndaj shqiptarëve pas asaj të Enver Hoxhës”.

“Por, rreshtimi juaj me Aleksandër Vuçiçin, shndërrimi i kreut tuaj në argat të Vuçiçit ishte tradhtia më e madh që iu bë shqiptarëve dhe Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës. Kështu që ajo që bëni ju është një karnaval me të cilën dëmtoni palcërisht statusin e udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës, e cila për ne ka qenë dhe është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut gjer sot. PD ka besim të plotë se udhëheqja politike e Kosovës do marrë pafajësinë. Se akuzat e rënda të bëra ndaj tyre nuk u faktuan asnjë prej tyre gjer sot. Por në skenarët e errët, Edi Rama ka duart e veta të zeza”.

Sipas tij lidhjet e Ramës me Vuçiçin “janë tmerrësisht problematike, si për shqiptarët, për rajonin dhe për botën”.

"Nuk e pranojnë sepse lidhjet e tij me Vuçiçin janë tmerrësisht problematike, si për shqiptarët, për rajonin dhe për botën. Kjo që bëhet, e them këtu, meqë jemi, vetë ky me intrigat e tij dhe me burimet e tij, është një nga autorët e dramës së udhëheqjes politike të Kosovës.  Përpiqet tani dhe do të dilte, kishte përgatitur fjalimin 1 orë. E kuptoni tani, do të fliste 1 orë, por nuk del dot".

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos