Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në protestën e nesërme që zhvillohet në Tiranë në mbështetje të UÇK-së. Lajmin e dha nga foltorja e parlamentit, kreu i grupit socialist Taulant Balla, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike për mocion me debat për gjenocidin në Kosovë, në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se asgjë e mirë nuk vjen nga Sali Berisha në lidhje me Kosovën.
“Kuvendi ka miratuar nga vitit 1991 deri në 2025, 9 rezoluta e 11 deklarata sa i takon gjithçkaje ka ndodhur në Kosovë. Të gjitha qëndrimet në kohën e duhur dhe çështjen e duhur për situatën dhe mbështetjen që kërkonte Kosova. Do të kërkoja që para se të hedhim në votim këtë kërkesë tuajën të radhës t’i lexoni. Asgjë që vjen nga Sali Berisha e kur lidhet me Kosovën nuk ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë”.
Sipas tij vendimi i PD-së për të bojkotuar protestën në mbështetje të UÇK-së konfirmon qëndrimin kundër interesit të Kosovës, ndërsa i fton të bëhen pjesë e protestës, pasi kreu i qeverisë nuk do të marrë pjesë në të. Gjithashtu Balla u kërkoi që të mbajnë protestë në vend tjetër po në mbështetje të Kosovës për të treguar se kjo është një çështje që na bashkon.
“Vendimi juaj i PD i bërë publik dje për të bojkotuar protestën mbarëkombëtare për mbështetjen e UCK është konfirmimi i qëndrimit kundër interesit të Kosovës, meqë nuk do jeni përkrah kryeministrit, kryeministri nuk do të jetë nesër në protestë. Hajdeni pse nuk vini? Sigurisht me kushtin që të mos e politizojmë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni të vini me organizatat e veteranët e luftës së UÇK. Mos hajdeni në shesh me ne, por bëjeni në SHQUP ose në një shesh tjetër dhe me këtë rast do t’ju vijnë më shumë. Se kjo është një çështjet që na bashkon që populli shqiptar e quan: Një komb, një qëndrim”.
(A2 Televizion)