Në një takim me banorët e njësisë 5 në Tiranë kreu demokrat, Sali Berisha i ka bërë thirrje Diasporës që të refuzojë fotografimin e votës dhe të votojë Partinë Demokratike për t’u ndarë nga e keqja që po zbraz Shqipërinë.
“Ju bëj thirrje në emër tuaj, të gjithë vëllezërve në diasporë, të cilët po nisin votimin, të votojnë për ndryshimin, të votojnë këtë vit, që është viti i tyre për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe, që po e zbraz dhe po e shkreton Shqipërinë. Ju bëj thirrje, refuzoni dhe mos bëni asnjë fotografi të votës tuaja, sepse ju duhet të jeni qytetarë të mirë të vendeve ku jetoni. Dhe në vendet ku jetoni dënohet me ligj fotografimi i votës. Prandaj mos zbatoni kodin dhe kërkesën e këtyre mafiozëve të cilët duan të ju kontrollojnë vullnetin tuaj, qëndroni njerëz të lirë, shqiptarë dinjitozë dhe votoni për ndryshimin. Votoni me 11 maj për të përmbushur atë mision historik që u ka rënë gjeneratës tuaj, përmbysjen e një diktature të dytë”.
Sipas Berishës në këtë fushatë të gjithë janë misionarë dhe misioni i tij thotë ai nuk është paraja apo pushteti, por për të ardhmen.
“Që të gjithë ne në këtë fushatë, mbi të gjitha jemi misionarë. Secili prej jush me votën tuaj, jeni misionarë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky rrënim, nga ky pakësim i frikshëm, nga ky shpopullim dhe varfërim Sali Berisha është një misionar, është njëri prej jush. Kam marrë këtë mision me vendosmërinë më të madhe, jo për pushtet, absolutisht, as për para. Por kam marrë këtë mision së bashku me ju, për të patur një të ardhme tjetër të re, për ata djem e vajza që janë këtu, që ata të qëndrojnë këtu. Që këta të qëndrojnë këtu. Ëndrrën e tyre shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri dhe të mos e eksportojnë në dhena të tjera. Shqipëria është vendi më i bekuar, ka pasuritë më të mëdha, ka potencialet më të mëdha, ndaj le të firmosim me 11 maj ndryshimin në mënyrë që të hapim një kohë tjetër, kohë shprese, besimi, mirëqenie punësimi”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me banorët e Vaqarrit deklaroi brenda vitit të parë të qeverisjes do rriten me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët.
"Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot. Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni. Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi. Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj. Taksa për grumbulluesit merr fund, do jetë simetrike si në shitje dhe blerje, çka do thotë ju do merrni mbrapsht TVSH e shitjes dhe nuk do e marrin grosistët. Do e merrni ju se është e juaja. Është pra një sistem krejt tjetër ky. Për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshat të zhvilluar. Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me fshat të braktisur. Nuk ka tokë më pjellore se sa toka e Shqipërisë, është nga më të mirat që ekziston. Të tjerët e kthejnë shkretëtirën në tokë pjellore. Këta tokën pjellore e kthejnë në shkretëtirë. Kjo është e vërteta".
(A2 Televizion)