Kreu i selisë blu Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e mban ish-Presidentin në kafaz të qelqtë sepse Ilir Meta nuk pranoi të firmoste marrëveshjen e detit.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Berisha tha se Meta mbrojti Kushtetutën.
Ndër të tjera, kryedemokrati tha se ai i kishte kërkuar palës greke që të shkonin në Gjykatën e Hagës, por pasi Rama erdhi në pushtet kërkoi që pakti të negociohej.
“Ilir Meta mbrojti Kushtetutën. Ilir Meta me sensin e rëndësisë themelore të pluralizmit politik, nuk pranoi zgjedhje moniste, zgjedhjet lokale. Pse Ilir Meta futet në kafaz të qelqit? E fut Edi Rama si hakmarrës primitiv, pikërisht për qëndrimet e tij. Merr marrëveshjen e detit, pse është në kafaz të qelqtë? Sepse nuk firmosi marrëveshjen e detit, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, s’e lejonte ta firmoste. Kur rrëzuan marrëveshjen e detit, që firmosi qeveria ime, që kur Shqipëria s’ka për të pasur një marrëveshje të tillë, sepse Greqia për shkak të mungesës totale të seriozitetit të Ramës, Greqia i ndryshoi të gjitha termat. Çfarë bëri Ilir Meta? Kur rrëzoi gjykata, unë i kërkoj palës greke të shkojmë në Gjykatën e Hagës. Meta vet, ministër i Jashtëm mori një kompani për të bërë ekspertizën e marrëveshjes. Kompania shumë serioze i tha në qoftë se Greqia kalon nga 6-12 milje, në çdo variant tjetër Shqipëria humbet. Unë e binda palën greke të shkojmë në Hagë. Vjen Edi Rama në pushtet, jo thotë, e negociojmë. Më thanë edhe mua, unë u thashë s’e negociojmë, shkojmë në gjykatë”, tha Berisha. (A2 Televizion)