Kryedemokrati Sali Berisha tha se ata që brohorasin kundër tij në protestë, apo që aludojnë se opozita është e shitur, janë ekstremistë të majtë dhe grupe të vogla të paguara nga Sorosi.
Në intervistën për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Berisha u shpreh se megjithë mospajtimet ideologjike me këtë grupim nuk i konsideron si "sorra", term ky i përdorur nga kryeministri Rama.
“Këta janë ekstremistë të majtë, të cilët me Sali Berishën kanë një armiqësi ideologjike të papajtueshme. Çfarë janë këta që brohorasin? Janë grupe të vogla të paguara nga Sorosi, dhe i ke vet parasysh marrëdhëniet e mia me të, që e kam denoncuar ndërkombëtarisht. Këta janë edhe socialistë të dëshpëruar në shkallë maksimale me mashtrimet e Edi Ramës, s’e kanë për mbarë të shajnë atë pa më përfshirë edhe mua, për ta lehtësuar pozicionin e tyre shpirtëror. Nuk janë sorra. Asnjë s’është sorrë. Janë ekstremistë të majtë dhe këtë e kam të faktuar. Ka një slogan tjetër: ‘Opozitë e shitur’. Absurditeti më i madh, sepse nëse merr të gjitha kërkesat që janë bërë aty ka qenë axhendë dhe betejë e PD”, tha Berisha. (A2 Televizion)