Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sfiduar kryeministrin Edi Rama për të vërtetuar se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nuk është larguar nga vendi për shkak të hetimeve të SPAK, por për arsye shëndetësore.
Nga selia blu, teksa mori si shembull komunikimet e Selisë së Shenjtë për shëndetin e Papa Françeskut, Berisha kërkoi që e njëjta gjë të bëhet edhe për Engjëll Agaçin.
“Tani historiku i Engjëll Agaçios, ai ka një muaj që është zhdukur, është zhdukur. Nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Po të ishte se, është e vërtetë, ai tregon spitalin, klinikën”, tha Berisha.
Sërish pohoi se në SHBA po lëvizin kundër Edi Ramës, duke shtuar se shumë shpejt do të nisë një hetim për përdorimin e financimeve amerikane, ndaj thotë Berisha, Kryeministri është shqetësuar.
“Prokurorët amerikanë do vijnë edhe në Tiranë. Ata nuk mund t’i kontrollojë Rama më. E vërteta është që nga dita në ditë, ky njeri mund të thirret për krimet që ka kryer. Ndaj nuk e zë vendi vend”, shtoi Berisha.
Për SPAK ndan të njëjtin shqetësim me maxhorancës, ku flet për standardet e drejtësisë dhe kontrollin mes pushteteve. Lideri demokrat pohoi se Prokuroria e Posaçme është një institucion pa kontroll sot, ndaj premton reformim të saj sipas standardeve të Venecias.
“Ky institucion me Kushtetutë duhet të ketë kontroll si çdo institucion tjetër. Nuk mund të pranoj që ky institucion të regjistrojë telefonat e gjykatësve ku çon dosjet. Kjo nuk shkon. Unë e kuptoj që duhet të ketë institucion që duhet të regjistrojë telefonat, por ama kjo përbën një konflikt absolut interesi”, tha ish-kryeministri.
Kreu i opozitës njoftoi se do të kërkojë në Gjykatën Kushtetuese që edhe qytetarët brenda vendit të mund të votojnë me dokumente të skaduara, njësoj si ata jashtë. Ndërkohë PD do të dërgojë një kërkesë në KQZ për shtyrjen e afatit të regjistrimit të emigrantëve, që aktualisht skadon më 4 Mars. (A2 Televizion)