Berisha: SPAK të heqë masën e sigurisë ndaj Elton Qynos. Artan Hoxha, anëtar i bandës Bajri-Gjoka

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2024, 12:43 | Politikë

Berisha: SPAK të heqë masën e sigurisë ndaj Elton Qynos.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkoi SPAK të heqë masën e sigurisë së dhënë ndaj gazetarit Elton Qyno, por jo për kolegun e tij, Artan Hoxha. Gjatë të hënës në disa media u publikua lajmi i arrestimit të gazetarit Artan Hoxha dhe caktimit të masës detyrim paraqitje për Elton Qynon. A2 CNN ka pyetur SPAK për këto raportime, por nuk ka marrë një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Por Berisha i komentoi ato në konferencën për media me gazetarët, ku shpalosi edhe planin e PD për protestën e të martës. “Nuk mund ta mbyll këtë ekspoze para jush pa dënuar me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin. Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë. Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e kompromentojnë atë në mënyrën më serioze, duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba te dhuratat gjysmë milionë euro, etj, etj, përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës. Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno. Sikundër i shpreh atij solidaritetin tim më të plotë dhe të PD”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.

“Ata që vendosën këto masa, ata kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së medieve. Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë. Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin, lidhja qëndron në poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos