Berisha thirrje mbështetësve: Gjuani me vezë dhe domate ambasadat shqiptare jashtë vendit që hyjnë në fushatë krah Ramës

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2024, 13:47 | Politikë

Berisha thirrje mbështetësve: Gjuani me vezë dhe domate ambasadat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se ambasadat shqiptare jashtë vendit janë futur në fushatë elektorale krah PS-së.

Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat, ku ftoi qytetarët që të protestojnë para ambasadave shqiptare në shtetet e tjera, të cilat ai i quajti narkoambasada dhe tha se duhen gjuajtur me vezë dhe domate.

Po ashtu Berisha paralajmëroi se ata që prekin votën e lirë, do të trajtohen si bashëautorë në një krim të rëndë elektoral.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme.

Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.

Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.

Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.

Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale.

Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral.

Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos