Raporti i Komisionit të Venecias ishte shkaku i debatit parlamentar. Demokratët me leximin e tyre, kërkuan votat e maxhorancës për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese, por socialistët vijojnë të kenë qasjen se Venecia i dha atyre të drejtë.
“Ju poshtëroni kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën. Ju ndjej mirë, se e di si jeni ju apo jo?! Jeni si zogjtë në klloçkë, por asaj klloçke do ti vijë fundi dhe ju do të dilni pa pupla”, u shpreh Berisha.
“Ju ka ngelur edhe nga ish-udhëheqësi i partisë që ju çdo humbje e konsideroni si fitore, dhe në raste të tilla thuhet, fitore si kjo paçit gjithmonë!” tha Balla.
Përballë kësaj qasje, kryedemokrati i hodhi një sfidë.
“Ne kërkojmë të respektoni kushtetutën, përndryshe mosbindja civile do të vij në sallë, nuk mund të shkelmoni ju kushtetutën sipas qejfit tuaj”, vijoi kreu demokrat.
“Lexojeni të gjitha nenet bashkë, të 62 nenet e Komisionit të Venecias dhe pijen atë det se na bën mirë të gjithëve”, u përgjigj Spiroali.
Timoni i debatit kaloi në nivelin e ekspertëve juridikë të grupeve parlamentare ku Oerd Bylykbashi kërkoi futjen e mocionit për Olta Xhaçkën, por Bledi Çuçi i socialistëve i tha se votat e PS do të vijojnë të jetë kundër kërkesës, duke treguar rrugën që duhet të ndjekin.
“Komisioni i Venecias ua ka mbyllur shtegun e të gjitha dokrrave që kanë dëgjuar njerëzit prej jush si maxhorancë. Jua ka thënë faqe qartë që vendimet e GJK nuk ia nënshtroni dot as votimit asnjë maxhorance”, theksoi Bylykbashi.
“Pra i ka thënë GJK, që nesër të shkoni ju si grup i interesuar për të shkuar në GJK duhet t’ua pranojë dhe duhet të shqyrtojë këtë çështje”, deklaroi Çuçi.
Olta Xhaçka nga ana e saj e dëgjoi këtë debat jo nga salla e seancave plenare ku kishte zgjedhur të largohej kur diskutohej për të. (A2 Televizion)