
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se protesta e opozitës më 12 mars do të zhvillohet në orën 10:00 para Parlamenti i Shqipërisë.
"12 marsi është dita e madhe. E gjithë Shqipëria para parlamentit. Dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit.
Në ora 10, t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij. Rroftë Shqipëria, fitore, fitore!", tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e kësaj të hëne, Berisha u drejtua ndaj qytetarëve dhe intelektualëve, duke u bërë thirrje të dalin nga “guaska e konformizmit” dhe të jenë pjesë e mobilizimit qytetar.
“U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës.
Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm. Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mundet të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodh.
Por para së gjithash dhe mbi të gjithë, ju banorët e shtëpisë së dijes, anëtarët e inteligjencës së këtij kombi, i keni shumë të mëdha përgjegjësitë ndaj tij.
Ju nuk mund të konfirmoheni sepse asnjëri prej jush nuk thotë dot se nuk e kuptoj dot se çfarë po ndodh.
Secili prej jush e ka të qartë se kreu i regjimit po përdor mazhorancën e krimit, po përdor mandatet e krimit si parzmore për të mbrojtur veten e tij nga vjedhjet që u ka bërë qytetarëve", tha Berisha.
(A2 Televizion)