Ndërsa ministrja e re e Shëndetësisë po betohej para Presidentit për të marrë zyrtarisht detyrën, kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë, po skiconte ndryshime të tjera në kabinetin e tij. Ai vendosi t’i ndryshojë drejtimin Ministrisë së Brendshme dhe t’i shtojë asaj kompetenca të tjera.
“Sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe me ekipin këtu në Kryeministri, ndërkohë që Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore”, tha Rama, përcjell A2 CNN,
Besfort Lamallari, edhe pse ka shërbyer si zëvendësministër për shumë vite në Ministrinë e Brendshme, si titullar i këtij dikasteri nuk arriti të rezistonte më shumë se gjashtë muaj, aq sa qëndroi edhe në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Rama nuk jep arsye se përse e largoi, por publikisht nuk pranoi që e ka zhgënjyer.
Nga kjo lëvizje në kabinet fuqizohet Ervin Demo, i cili jo vetëm do të drejtojë Ministrinë e Brendshme, por merr me vete edhe kompetencat e Pushtetit Vendor, ministrinë pa portofol që drejtonte prej një viti.
Deputeti i PS-së, njëkohësisht edhe drejtues politik i Beratit, Ervin Demo, në statistikat e Ministrisë së Brendshme numërohet si socialisti i nëntë që Edi Rama ka përzgjedhur për këtë dikaster. Më jetëgjati ndër ta ka qenë Saimir Tahiri, ndërsa Demo do ta nisë me sfidën e protestave, por edhe të ndarjes së re territoriale të Shqipërisë. (A2 Televizion)