65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”. Ky është rezultati i një anketimi të prezantuar këtë të premte nga Kryeminsitri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, shkruan A2 CNN
“Policia e Shtetit, në dekadën e fundit, ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë prezantimit të rezultateve. “Si drejtues i Ministrisë së Brendshme, jam krenar të them që së bashku kemi ndërtuar mbi themele të forta, të ardhmen e qëndrueshme dhe të besueshme. Këto vlera janë bërë parimi udhëheqës i çdo veprimi që ndërmarrim. Nuk janë thjesht fjalë dhe ide, por parime që i kemi zbatuar me përpikëri dhe dedikim. Në dekadën e fundit, është transformuar perceptimi i publikut dhe fituar besimi i tij”, tha ministri.
“Koha e reagimit ndaj krimeve është përmirësuar, dhe 67 % e qytetarëve besojnë se trajtohen me respekt. Këto numra nuk janë thjesht statistika – janë pasqyra e besimit të fituar me mund dhe sakrificë.
Por suksesi më i madh është ndryshimi në jetën e përditshme të njerëzve. 82% e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit, dhe ky është një tregues që na motivon të ecim përpara”.
Ministri shtoi se këto rezultate janë motivim që institucioni që ai drejton të punojë edhe më fort. “Fakti që vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga rreth 12 milionë turistë dhe patëm zero ngjarje kriminale, është edhe një arsye tjetër pse vendi ynë i bukur zgjidhet si destinacion i sigurt për pushime.
Nën markën “Safe Stay in Albania”, Ne tani keni nisur punën për garantimin e një tjetër viti të suksseshëm turistik”, tha ai. (A2 Televizion)