Teksa KAS ka filluar të rrëzojë ankimet e PD-së për zgjedhjet e 11 Majit, demokratët kanë hapur një front tjetër lufte. Beteja e tyre për pavlefshmëri të procesit është transferuar në Kolegjin Zgjedhor, si hallka dhe shpresa e fundit e tyre.
Deri më tani në Kolegj janë depozituar tre ankime zgjedhore për qarqet Kukës, Gjirokastër dhe Korçë, të cilat janë dhe njësitë zgjedhore që u rrëzuan të parat nga ana Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, shkruan A2 CNN. Por ky numër do të shkojë të paktën në tetë, aq sa janë edhe njësitë zgjedhore për të cilat KAS ka marrë vendim përfundimtar deri më tani. Përvec tre zona të para zgjedhore, KAS ka rrëzuan edhe ankimet për qarqet Berat, Vlorë, Shkodër, Lezhë e Dibër, ndërsa katër të tjera janë në proces.
Ndërkohë, Tirana, Fieri dhe Durrësi duhet të kalojnë kalvarin e rinumërimit për të parë nëse pretendimet për tjetërsim votash qëndrojnë apo jo, ndërsa Elbasani është në pritje të një vendimi ku dilema është nëse do të pranohet kërkesa për rinumërimin edhe në këtë zonë apo jo. (A2 Televizion)