Blendi Gonxhja për A2 CNN: Rezultati na bën krenar, të reformojmë procesin e numërimit

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 17:19 | Politikë

Blendi Gonxhja për A2 CNN: Rezultati na bën krenar, të

Kandidat për deputet në listën e hapur të PS-së në Tiranë, Blendi Gonxhja, i cili ishte më i votuari në rezultatet e publikuara në bashkinë e Vorës dhe në Njësinë 10 në Tiranë, foli në A2 CNN për rezultatet e deritanishme dhe veçanërisht për Kombinatin.

Ai tha se rezultati është i shkëlqyer, ndërsa pati edhe një interpretim për arritjen e tij në Vorë.

“Është punuar për votat edhe në Bashkinë e Vorës dhe në kryeqytet. Unë kam qenë i deleguar politik në Bërxullë, kam ndjekur situatën pas tërmetit dhe projekte të tjera aty. Kam qenë edhe koordinator politik për Tiranën dhe Vorën, por edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, ku shumë punonjës kanë qenë nga ajo zonë.

Sapo ka mbaruar numërimi në njësinë 6 të Kombinatit. Kjo nga përqindja është më e larta nga të gjitha njësitë urbane. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm në një zonë që ka pasur shumë vështirësi, duke përfshirë këtu edhe tërmetin. Ky rezultat na bën shumë krenar”, tha Gonxhja.

Më tej, kandidati socialist u shpreh se ka ardhur koha për një reformim të procesit të numërimit të votave.

“Këtu nuk kemi pasur asnjë problematikë dhe procesi është shumë i qetë. Duhet të bëjmë një ndryshim, një reformim të të gjithë procesit të numërimit pasi është i ngadaltë, arkaik, është stërmundues, merr shumë njerëz, merr kohë, merr shumë kapacitete edhe njerëzore, por edhe financiare, të cilat nuk janë më të nevojshme në kohët që jetojmë që të shpenzohen”, tha Gonxhja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos