Partia Demokratike ka denoncuar një rast, sipas tyre të manipulimit me vota në KZAZ nr. 40 në kryeqytet, përmes fenomenit të “trenit bullgar”.
Sipas PD, manipulimi i votave dëshmohet përmes një videoje të postuar në Facebook nga kryetarja e degës numër 9, Eda Grimci, ku shihet se fletët e votimit janë të palosura në të njëjtën formë e simetri dhe janë të bashkuara.
Demokratët pretendojnë se kjo provon se fletët janë të falsifikuara dhe dëshmon fenomenin e njohur të manipulimit të votës me termin "treni bullgar", që është konstatuar nga grupi i numërimit 40 në shkollën "7 Marsi".
“Treni bullgar”, si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorur për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2007 në Bullgari.
Votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletën e votimit të cilën e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit.
E njëjta fletë votimi plotësohet dhe përdoret nga një votues tjetër. (A2 Televizion)