Bllokim në 6 pika. “Mosbindje civile me orar” nga opozita, përplasje me policinë e djegie gomash

Nga Mario Brakaj
29 Tetor 2024, 22:52 | Politikë

“Kur t’i teket opozitës, jemi në mosbindje civile”.

Megjithatë, tre orë mjaftuan! Nga rrethrrotullimi i Milotit te ai i Bradasheshit, bashkë me Rrogozhinën, Levanin, Shkozetin, Rrogozhinën, sheshin “Shqiponja” e kthesën e Kamzës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve, shpesh duke djegur goma, demokratët parashtruan tre kërkesat e tyre: qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe lirimin e Sali Berishës, shkruan A2 CNN.

Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, deklaroi: “Nëse shqiptarët nuk i thonë të keqes “ndal”, e kemi tek dera e shtëpisë. Mendoj se ka dhe qytetarë që nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike. Edhe socialistët duhet të jenë këtu. E keqja është në derë të të gjithëve. Kjo protestë është dhe një lloj paralajmërimi. Për ata që duan të shohin dhe të dëgjojnë. Edhe për ata që e kanë lënë Shqipërinë në periferi, e kam edhe me ndërkombëtarët”.

Ndonëse mund të përmblidhet si “e qetë dhe pa probleme”, protestës së thirrur demokratët e që iu bashkuan edhe partitë aleate nuk i munguan incidentet. Në ish-sheshin “Shqiponja”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, së bashku me deputeten Albana Vokshi, u përplasën fizikisht me policinë.

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD, u shpreh: “Është mosbindje civile që ka akses në fjalë. Mund të konsiderohet si akt protestues si pjesë e mosbindjes civile. Mosbindja civile nuk është qëllimi ynë final, pasi qëllimi final është rezultati i mosbindjes civile”.

Në Bradashesh dhe Rrogozhinë, protestuesit u përplasën me qytetarët të cilët mbetën të bllokuar me orë të tëra në rrugë. Nga ana tjetër, në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, Tiranë dhe Milot u dogjën goma nga protestuesit. Në fund të protestës, Noka paralajmëroi vijimin e protestave duke thënë se “mosbindja civile vijon”: “Por me këtë sjellje të tyre ata treguan se janë në panik dhe mosbindja civile ka filluar të japë frytet e veta. Qëndresa, rezistenca jonë do të vazhdojë. Mosbindja civile do jetë ajo që do i sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kthim pas nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do japin frytet e saj.”

Pas tre orëve të mosbindjes civile opozitare, kudo u rikthye normaliteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos