Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar, raporton A2 CNN.
Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.
Sipas Denajt, ky është një financim nga Qeveria Shqiptare, që synon bashkimin e 50 fermerëve prodhues të ullirit dhe vajit të ullirit në qarkun Berat dhe zonat përreth. “Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj.
Ministrja Denaj tha se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë. “Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo.
Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse. (A2 Televizion)