Edi Rama vijon pakënaqësinë me njerëzit e sistemit të drejtësisë dhe qasjes së tyre ndaj territorit.
Pas prokurores së Shkodrës për ndërtimet në Theth, kryeministri thotë se ka evidentuar një tjetër personazh të cilin e pozicionon në llogoren e antiligjit dhe antishtetit, siç shprehet ai: “Dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranës dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre”.
Këta nuk janë të vetmit personazhe që mbajnë gjallë në sistemin e drejtësisë forcën brutale të antiligjit në dëm të interesave të njerëzve të zakonshëm, thotë Rama, teksa shton edhe një pyetje publike: “Ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli? Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet antiligj e antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit?”.
Territorit i dedikoi edhe një komunikim në rrjetet sociale me qytetarët, në skadim të afatit që ishte lënë për zhbllokimin e ambienteve publike në akset rrugore të vendit.
Ndërhyrja në mbrojtje të territorit nuk është aksion i përkohshëm, theksoi Rama, teksa paralajmëroi ndëshkim të ashpër për kë i rikthehet zaptimeve.
Qytetarëve u kërkoi të ndihmojnë me denoncimet, për të cilat do të krijohet edhe një portal i posaçëm. (A2 Televizion)