“Cenon lirinë e shprehjes”, gazetarët kundër kodit të ri penal. Rama: BE do të jetë garancia

Nga Fjorela Beleshi
1 Gusht 2025, 15:10 | Politikë

Shoqatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile janë të shqetësuara se drafti i Kodit të ri Penal cenon lirinë e shprehjes, shkruan A2 CNN. Në mënyrë të veçantë, ato nënvizojnë ndryshimet në dispozitat e propozuara në nenin 865 për shpifjen, 863 për fyerjen dhe 536 që lidhet me ndikimin në pavarësinë e gjykatës, të cilat lënë hapësirë interpretimi për të censuruar mediat.

Për këtë arsye, ato i kërkuan qeverisë shqiptare që të rishikojë ndryshimet në Kodin Penal që cenojnë punën e gazetarëve.

Nuk ka vonuar përgjigjja nga vetë Kryeministri Rama në rrjetet sociale, duke pretenduar se nuk ka se nga çfarë të tërhiqet qeveria, pasi ky dokument nuk është propozuar nga vetë ajo. Pasi ta lexojë Ministri i Drejtësisë draftin e rishikuar nga konsultimi publik, shkruan Rama, ai do të duhet të kalojë edhe një tjetër filtër – Brukselin.

“Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar dhe do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit, drafti nuk shkon dot në Parlament! Kështu që, miq të shoqatave të shtypit, rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”, tha Rama.

Jo vetëm përfaqësues të medias, por ndaj këtij drafti janë shprehur kundër edhe drejtues të sistemit të drejtësisë, që nga Prokurori i Përgjithshëm deri te kreu i SPAK-ut, Altin Dumani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos