
Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, zhvilloi një debat të ashpër me deputetin e PS-së, Taulant Balla, në lidhje me molotovët që hodhën protestuesit vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Balla u shpreh se ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin objektivat e Iranit, ish-kryeministri Sali Berisha kishte sulmuar vilën e Enver Hoxhës, ndërsa brenda saj ishin artistë, dhe sot ajo vilë funksionon si qendër kulturore.
“E vërteta është paksa e hidhur. Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin objektivat e regjimit, Sali Berisha udhëhiqte sulmin ndaj një godine ku vetëm ai kishte hyrë brenda, ndërsa asnjëri nga ne nuk e kishte parë as ëndërr ta vizitonte atë vend. I vetmi që u ngroh në zjarrin bubulak të diktatorit ka qenë ai,” tha Balla.
Bardhi iu përgjigj duke theksuar se opozita nuk kishte dijeni për mënyrën se si po menaxhohej prona publike dhe duke kritikuar qeverisjen për mungesën e transparencës.
“Ne nuk kemi pasur dijeni që kjo vilë i është dhënë për menaxhim një fondacioni francez. Duhet të theksoj se u desh protesta e 28 shkurtit që ne dhe qytetarët shqiptarë të mësonim se çfarë marrëveshjesh dhe çfarë qokash po bëhen nga kryeministri me pronat e shqiptarëve.
Ne distancohemi nga çdo normalizim i një situate ku politikanët, të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, mund të marrin vendime për pronat publike, duke dëmtuar interesin publik.
Nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të parë se çfarë qokash bëhen, dhe as nuk do të lejojmë që pronat e shqiptarëve të përdoren për interesa private.
Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni të huaj, dhe u desh protesta e 28 shkurtit që ta mësonim, tregon qartë mungesën e transparencës dhe respektit për ligjin,” tha Bardhi.
(A2 Televizion)