
Një ditë pasi Departamenti i Thesarit në SHBA sanksionoi familjen Hysa, duke e quajtur një organizatë kriminale, Sali Berisha pohon se eksponentë të saj, kanë lidhje direkt me Edi Ramën.
“Pra janë mediat e huaja, është Reuters, agjencia kryesore e lajmeve në botë që njofton sanksionet kundër familjes të perandorisë së kazinove meksikane dhe që lan fondet e kartelit dhe që është i lidhur direkt me Edi Ramën”.
Teksa shfaqi deklaratën e kreut të qeverisë dhe një intervistë të tij dhënë për rrjetin italian RAI, ku Rama pranon njohjen dhe takimin me Luftar Hysin, Berisha e akuzon Kryeministrin si avokat të familjes që tashmë është në listën e zezë të SHBA.
“Flet vetë, tregon vetë se si i dha lincencën e hotelit, i dha lejen e hotelit me 5 yje, e shpalli investitor strategjik 10 vjet pa taksa, i dha licencën e kazinosë klanit të Sinaloas, vëllezërve Hysa në një ndër pozicionet më të fuqishme në kartelin më të fuqishëm të drogës në botë që është Sinaloa”.
Sipas liderit demokrat, Shqipëria tashmë është zyrtarisht narkoshtet.
“Në të gjithë parametrat, absolutisht në çdo parametër, Shqipëria plotëson çdo tregues për narkoshtetin përveç mbrojtjes që i bëjnë zyrtarë të korruptuar propagandës bajate të qeverisë, e cila synon të vazhdojë t’i garantojë narkoshtetit barbarinë mbi shqiptarët”.
Sali Berisha paralajmëroi edhe padi në SPAK për këtë çështje, por shtoi se dosjet që dërgohen prej opozitarëve nuk hetohen nga prokurorët e posaçëm. (A2 Televizion)
