
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Njësinë 2 në kryeqytet gjatë turit të dëgjesave me qytetarët për projektbuxhetin 2026, deklaroi se për herë të parë është përfshirë fond për të përballuar nevojat e pacientëve të Onkologjikut.
“Patjetër që ajo që ndodhi në Spitalin Onkologjik ishte diçka tronditëse, por transformimi i bërë tek Onkologjiku është i jashtëzakonshëm sa i përket infrastrukturës. Aty ku dobësia e madhe krijoi edhe hapësirë për ato ngjarje skandaloze. Janë barna shumë të shtrenjta, që duhet të përmbushin nevoja që shkojnë duke u rritur. Kanceri si në gjithë botën po bëhet sëmundje gjithnjë e më e përhapur. Kemi vënë për herë të parë fond për të përballuar të gjitha nevojat për barnat për kancerin, që do të thotë njerëzit tanë që shkojnë atje të mos kenë mungesë dhe nga ajo mungesa të mos përfitojë askush siç ndodhi në atë situata”, tha Rama, shkruan A2CNN.
“Kemi dashur t’i mbulojmë barnat më parë, por s’ka qenë mundësia. Sot është mundësia sepse është rritur ekonomia, rriten të ardhurat”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)
