“Parlament të rëntë pika”, 10 vite larg politikës, Namik Dokle ka një mesazh për Kuvendin e sotëm

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 19:31 | Politikë

Përmes disa vargjeve që siç rrëfeu në “Ditari i pasdites” me Pandi Gjatën, në A2 CNN se i kishte shkruar në një nga fletët ku pasqyrohej rendi i ditës gjatë kohës që ishte në Parlament, ish-kryetari i Kuvendit Namik Dokle, i ka përçuar politikës shqiptare një mesazh.

“Parlament të rëntë pika, shtatë sahat veç duke sharë por më shumë se helmi e thika vret një fjalë e palarë”. “Këto vargje shkrova unë për atë punën e grindjes”, tha Dokle teksa i mëshoi qëndrimit të tij se “Parlamenti nuk duhet të ketë fjalë të palara”.

Duhet të ketë kulturën, fjalën e argumentin, fjalën e mençur e kështu me radhë”, ish-deputeti socialist teksa promovonte librin e tij më të ri “Asnjë trokitje në qiell”.

Më tej ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse Parlamenti sot është më keq nga ai i kohës kur ai ishte ligjvënës. Dokle tha: “Këtë në fakt unë e ndjej më shumë nga vlerësimet e të tjerëve të cilët thonë: ‘Oh ju ishit krejt ndryshe, ju ishit krejt ndryshe e të tjera, e të tjera’. Ajo që mua më më mërzit është gjuha e pakulturuar, gjuha sharëse. Domethënë shajnë njëri-tjetrin pa doganë, pa teklif. Tallen me njëri-tjetrin pa doganë, pa teklif. Unë njëherë kur ka ndodhur njëherë një grindje kur isha edhe unë prezent... se edhe atëherë kishte grindje edhe unë në atë pjesën e mbrapme të ligjeve shkruaja nga disa vargje”.

Sipas tij vesin e të hedhurit vargje në fletët e rendit të ditës e kishte përftuar prej qëndrimit pranë shkrimtarit Dritëro Agolli, nga koha kur edhe ky i fundit ishte deputet në Partinë Socialiste.

Ma kishte futur këtë si me thënë yshtje, këtë nxitje Dritëroi se në parlamentin e parë pluralist isha i ulur afër Dritëroit dhe sapo filloi parlamenti, Dritëroi mori një nga ato rendi i ditës të asaj dite e ktheu mbrapsht që ishte e bardhë dhe shkroi një vjershë dhe unë atë e kam origjinal e mbaj në shtëpi. Po atë e mbaj mend si tani edhe thotë: Ata që në sheshe gjëmuan nuk hyn as në lista, ata që në sheshe vështruan u bënë ministra’”, rrëfeu Dokle në “Ditari i pasdites” me Pandi Gjatën, në A2 CNN.

I pyetur nëse i mungon politika, tashmë kur janë bërë 10 vite larg saj, Dokle tha se nuk e ka marrë malli dhe se ndjek vetëm një edicion lajmesh në ditë për t’u informuar, por jo parlamentin.

Jo, nuk më ka marrë malli. Të them sinqerisht nuk më ka marrë malli sepse unë e lash politikën në momentin që kisha dy konstatime brenda vetes. Konstatimi i parë që në politikë kam arritur aq sa nuk kam ku të shkoj përtej. Dhe ndërkohë tjetra ishte që duke u marrë me politikën po humbisja atë që ju me të drejtë e quajtët ëndrra e vjetër, dashuria e parë e të tjera me radhë. E kam fjalën që e filloja dhe jo se politika rri 24 orë në punë në politikë, por e humbisja kohën nganjëherë edhe kot, të presim derisa të bëhet një komision. Po jo kjo, jo po ajo. Jo e vërteta është jo. Nuk kishe kohë për t'u marrë me letërsi dhe unë kuptova që edhe letërsia edhe politika ka një të përbashkët. Secila prej tyre kërkon një përkushtim. O me njërën o me tjetrën, me të dyja ishte vështirë për t'u marrë. Në 2013-ën që u zgjodha deputet mendova që unë nuk duhet të vazhdoj më tutje dhe realisht isha edhe më i vjetri i socialistëve dhe më takoi sipas Kushtetutës të hapja parlamentin dhe hapësi i parlamentit është në krye të Kuvendit vetëm dy ditë. Dita e parë raporti i mandateve, dita e dytë zgjedhja e kryetarit edhe e nënkryetarëve. Dhe sapo ftova kryetarin të ulet në tavolinën e tij, zbrita në sallë dhe i thashë kryetarit të grupit dhe kryetarit të partisë, unë nuk kandidoj më. Nuk kandidoj më, sepse kam disa projekte të cilat dua t'i realizoj. Lidhur me këtë politikën unë nuk është se e ndjek shumë. Dëgjoj gjithmonë çdo ditë një emision lajmesh të plotë për tu informuar, parlamentin nuk e ndjek shumë. Ka raste që filloj ta ndjek dhe kur shoh ndonjë gjë që më mërzit e mbyll”, tha ish-deputeti socialist në “Ditari i pasdites” me Pandi Gjatën, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos