DETAJET/ Zbulohen prapaskenat e dhunës, gazetarja: Si nisi sherri në takimin e Ramës

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2024, 20:27 | Politikë

Gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi, në një lidhje direkte nga Londra me studion e emisionit “Off the Record” nga Andrea Danglli, ka zbuluar prapaskenat e dhunës në takimin e kryeministrit Edi Rama me diasporën.

“Pati protestë edhe jashtë sallës ku po mbahej takimi, edhe brenda sallës. Rama disa herë e ndërpreu fjalën për shkak të protestës brenda sallës. Pati konfrontime fizike brenda në sallë dhe jashtë saj, ku ka pretendime nga ana e demokratëve që janë dhunuar nga pjesëmarrës në takim që ishin mbështetës të Partisë Socialiste”, shprehet gazetarja Fjorela Beleshi.

“Takimi kaloi në konfrontim mes shqiptarësh të ndarë pro dhe kundër kryeministrit Edi Rama”, shtoi gazetarja.

Në lidhje me ndërhyrjen e forcave të sigurisë britanike, Beleshi u shpreh: “Forcat ishin të pranishme sepse ishte marrë leje për protestën. Policia londineze ka ndërhyrë për të parandaluar konfrontimin fizik mes shqiptarëve. Por, për herë të parë, policia nuk qëndroi vetëm jashtë, por hyri edhe brenda në sallë. Kanë qenë dy efektivë policie brenda sallës për shkak të situatave që u krijuan. Deri kur u larguan të gjithë, brenda dhe jashtë, policia ka ndenjur aty”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos