“Deti” me Greqinë, Berisha mbron marrëveshjen e 2009: PD e zgjidh sa të vijë në pushtet

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2025, 10:06 | Politikë

“Deti” me Greqinë, Berisha mbron marrëveshjen e 2009: PD e

Për Sali Berishën çështja e kufirit detare me Greqinë mund të zgjidhet shumë lehtë, në frymën e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.

Kështu ka lënë të kuptohet lideri i opozitës shqiptare për median helene “To Manifesto” pas takimit të tij me bashkatdhetarët në Athinë.

“Sigurisht, kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut me frymën e mirë, ashtu siç e bëmë (në vitin 2009) me vullnetin për ta zgjidhur problemin. Këtë synojmë”, është shprehur Berisha, ndërsa në fjalimin e tij para simptizantëve deklaroi se nëse PD fiton zgjedhjet, “marrëveshja do të përfundojë dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të jenë shumë të shkëlqyera”.

Në vijim të intervistës, kryedemokrati ka mbrojtur marrëveshjen që qeveria e tij dhe ajo e Kostas Karamanlis firmosën në vitin 2009 për përcaktimin e kufirit detar, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

“Për sa i përket përcaktimit të zonave detare që nënshkruan qeveritë Karamanlis – Berisha në vitin 2009, politikani shqiptar ia hodhi fajin zotit Rama, i cili «për shkak të tretëve dhe për interesat e tij, ushtroi presion dhe rrëzoi marrëveshjen», të cilën e quajti «marrëveshjen më të mirë». «Ishte një marrëveshje win-win. Sigurisht, nuk kishte arsye që as Greqia as Shqipëria të humbnin»”, shkruan media greke.

Berisha ka rrëfyer më tej se rivali i tij politik, Edi Rama, pas refuzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka rënë dakord me dy qeveritë pasardhëse greke që ta dërgonin çështjen e “Detit” për rishikim në Hagë.

“«Rama i tha qeverisë Tsipras “ne kemi një marrëveshje më të mirë” dhe filloi bisedime të reja shumë të marra. Sepse pas dy apo më shumë vitesh, pas disa raundesh negociatash, kur ishin gati për ta nënshkruar, kërkoi falje dhe tha që “vendimi i gjykatës nuk na e lejon”. Sigurisht, Kotzias ishte shumë i zemëruar, ndërsa edhe unë e denoncova. Nuk mund të sillesh kështu. E di vendimin e gjykatës. Duhet të jesh serioz»”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos