Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, theksoi se në mandatin e ri qeverisë i “duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja”.
“Nuk na mjafton një qeveri e re për të bërë disa gjëra të reja, na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja, që funksionon me disiplinën e një skuadre kampione. Skuadrat kampione janë fuqia e talentit dhe disiplinës, që ushqehet çdo ditë nga ambicia për t’u bërë më të fortë. Na duhet kjo mendësi në çdo fushë, një makineri e pandalshme punësh të mëdha e të vogla. Kjo nuk është si e mendoj unë teorikisht këtë mandat, por si unë po e stërvis veten për këtë mandat”, tha Rama, shkruan A2.
“Kush nuk është gati ta përdorë me një sy të ri kritik pasqyrën ku shikon veten si pjesë e familjes sonë, duhet të stërvitet shumë fort dhe pa humbur kohë sepse nga të gjitha gjërat më kryesore ajo që nuk kemi është koha. Ndërsa atyre që vijnë këtu për herë të parë, u them që zgjedhja juaj është e thjeshtë: doni të rrini vërdallë 4 vite apo doni që kjo rrugë të zgjatet përtej këtij mandati. Nëse doni të dytën, duhet ta vlerësoni mandatin e parë si diçka që duhet ta fitoni përditë. Programi ynë qeverisës nuk ka qenë kurrë më i qartë. Detyra jonë nuk ka qenë kurrë më konkrete sesa në këtë mandat të katërt radhazi. Të mbyllim negociatat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2027, të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të vendimit për anëtarësimin tonë në BE dhe të ngremë flamurin në oborrin e shtëpisë së bashkuar. Këto janë 3 maja që duhen kapur në kohë. Kapja e këtyre majave nuk është e shkruar nga fati apo Zoti. Vërtet yjet e fatit u rreshtuan si asnjëherë në favorin e Shqipërisë, por ngjitja me sukses është e gjitha e varur nga ne. Njerëzit e zakonshëm e bënë pjesën e tyre, na dhanë neve fuqinë më të madhe përfaqësuese që kemi pasur ndonjëherë, tani është radha jonë që të bëjmë tonën për të udhëhequr shqiptarët”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)