
Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të së majtës shqiptare.
Në një postim në Facebook, Majko ka ndarë një mesazh prekës për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, duke e përshkruar Nanon si “njeriun që nuk i shpëtoi vetvetes” dhe si politikanin që “theu rregulla, por mbeti produkt i kohës së tij”.
“Fatos Nano ka ndërruar jetë! Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vëlla i mirë dhe prind i dhimbsur!”, shkruan Majko.
Ai kujton se burgosja e Nanos si drejtues i PS në opozitë ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i karrierës së tij politike.
“Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerëzve që e meritojnë dhe njerëzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi!”, thekson Majko.
Në fund, ai e mbyll mesazhin me fjalë të ndjera për largimin e tij: “Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë ‘negociatën’ e fundit! Beteja e fundit midis ‘kush je’ me ‘çfarë je’! Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!”. (A2 Televizion)
