
Politika shqiptare ka humbur sot një nga figurat më të rëndësishme të saj, Fatos Nanon, themelues dhe kryetari historik i Partisë Socialiste.
Për lajmin e trishtë ka reaguar edhe ish-deputeti socialist Petro Koçi, i cili shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të liderit që, sipas tij, “modernizoi dhe transformoi të majtën shqiptare”.
“Lideri i transformimit dhe modernizimit të së majtës shqiptare. Një kryetar partie kampion i demokracisë institucionale, i kolegjialitetit dhe i intelektualizmit politik. Ishte politikani modern i një kohe primitive. Atdhetari i palëkundur që i dha dinjitet e reputacion shqiptarësisë”, shkruan Koçi.
Në fjalët e tij, Petro Koçi e cilëson Nanon si “një njeri me shpirt të jashtëzakonshëm bashkëpunues, ku hakmarrja nuk gjeti kurrë hapësirë”, duke theksuar se Shqipëria dhe e majta socialiste “humbën një personalitet të shquar dhe një misionar të papërsëritshëm”.
“Fatos Nano, në krye të një ekipi intelektual dhe idealist, bëri historinë e luftës për demokraci në kushtet e zgjatimit të një diktature të tipit fashist të viteve 1992-1997. Le të jetë lidershipi i kohës së tij një frymëzim i mëtejshëm për Partinë Socialiste dhe demokracinë në Shqipëri! Lamtumirë Fatosi ynë!”, përfundon reagimi i tij. (A2 Televizion)
