Sapo Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Presidencës për shpallje të moskompetencës mbi dekretin e tij për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, në krahun tjetër të së njëjtës godinë ishte mbledhur Komisioni i Ligjeve, ku pozita kërkoi shkarkimin e Kreut të Shtetit për të njëjtin dekret.
Ngjarja në sallën e Kushtetueses kishte vëmendjen kryesore të politikës, përfshirë atyre që ishin në punë në Kuvend. Dëshmia e Erion Veliajt nxiti kolegun e tij të partisë, kryetarin e Komisionit Ulsi Manja, që të vinte kufjen duke mbajtur një vesh te pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës.
Në mungesë të kufjeve, Tedi Blushi ishte edhe më flagrant duke afruar telefonin.
Me të mbaruar mbrojtja e parë e Veliajt, socialistët në Komisionin e Ligjeve mblodhën veten dhe e rikthyen të përqendruar për të mbrojtur Presidentin Bajram Begaj. Asnjë nga 7 akuzat e demokratëve, që nga dekreti për Tiranën, deri tek konflikti i interesit për punën në sektor privat apo punësimin e djalit të tij në kompaninë e sigurimeve që merr tendera nga Presidenca, nuk e tronditi pozicionin mbrojtës të mazhorancës.
Argumenti i opozitës nuk plotëson kriteret për shkelje të rëndë kushtetuese.
Me bashkimin e 9 votave PS+PSD, mazhoranca rrëzoi kërkesën e PD duke i dërguar seancës plenare raportin për mosshkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. (A2 Televizion)
