Diaspora mbyll numërimin, vota sjell luftën brenda llojit, PS gati të bashkëpunojë me të rinjtë 

Nga Ervin Koçi
20 Maj 2025, 15:10 | Politikë

U deshën 9 ditë që vota e fundit e diasporës të numërohej. Elbasani ishte qarku që kërkoi edhe mesditën e së martës së dytë pas zgjedhjeve, për të numëruar kutinë e fundit duke shënuar edhe përmbylljen e një procesi të implementuar për herë të parë.

Përfundimi i procesit nxjerr në pah edhe shpërndarjen e votës se diasporës ku ndërmjet socialistëve dhe demokratëve, diferenca është e dukshme, në çdo tre vota, dy janë për PS dhe një për PD-në.

Kjo epërsi thelloi avantazhin e krijuar nga mazhoranca brenda vendit, ndërsa diaspora shtoi vetëm një deputet më shumë për socialistët në qarkun e Vlorës, duke finalizuar rezultatin në 83 mandate parlamentare.

Por nëse impakti i garës mes partive ishte minimal, ndërmjet kandidatëve vota e diasporës rezultoi përcaktuese. I pari ishte Isuf Çela nga demokratët në Kukës që falë preferencave nga jashtë vendit spostoi Shkëlqim Shehun duke marrë mandatin e dytë në këtë qark për opozitën.

Në Lezhë Admir Kadeli i PS-së ktheu rezultatin e Marjeta Nelit, e cila deri në mbrëmjen e së hënës e mendonte veten deputete të Kuvendit.

Historia u përsërit edhe në Tiranë ndërmjet Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, ku ish-ministrja e Jashtme përmbysi votat brenda vendit dhe krijoi një avantazh prej 140 votash duke i rrëmbyer mandatin koleges.

Këto festa sollën edhe hatërmbetje ku pesë socialistë iu drejtuan KQZ për pamje filmike, veprim të cilin i deleguari i PS-së për diasporën, Taulant Balla e konsideroi të panevojshme. Pas porosisë së ngjashme edhe të Edi Ramës, mesazhi duket se po dëgjohen dhe kërkesat për pamje filmike nuk po zbatohen.

Ndërkohë PS i lë derën hapur forcave të reja opozitare për të trajtuar në Parlamentin e ardhshëm shqetësimet e tyre mbi Kodin Zgjedhor.

KQZ pritet të vijojë me miratimin e rezultateve paraprake, akt i cili i hap rrugën ankimeve institucionale, ku Partia Demokratike është shprehur se nuk e njeh procesin zgjedhor duke e konsideruar një farsë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos