Humbi mandatin, por fitoi zemrat e shqiptarëve, Ilir Alimehmeti falënderon zgjedhësit: Rezultati nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 09:11 | Politikë

Humbi mandatin, por fitoi zemrat e shqiptarëve, Ilir Alimehmeti

Mori 18 125 vota në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, por Ilir Alimehmeti nuk mundi të sigurojë një mandat deputeti, për shkak të sistemit. Në një psotim në Facebook ai ka falënderuar sot të gjithë qytetarët që e besuan dhe e votuan. Sipas tij kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale, por ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave si ndershmëria, puna, dinjiteti, shkruan A2 CNN.

Alimehmeti thekson se rezultati nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim.

“Të dashur qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të ndershmërisë, 18.125 herë ju i thatë “po” shpresës, ndryshimit dhe të vërtetës. 18.125 zemra besuan se politika mund të jetë ndryshe – më njerëzore, më e drejtë, më pranë qytetarit. Për këtë, ju jam thellësisht mirënjohës. Kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale – ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave që na bëjnë njerëz: ndershmëria, puna, dinjiteti.  Çdo votë që hodhët nuk ishte vetëm për një emër, por për një mënyrë të re të të bërit politikë. Ju faleminderit që qëndruat krah meje, që më dhatë forcë me fjalët, buzëqeshjet dhe besimin tuaj. Faleminderit që më lejuat të jem zëri juaj. Rezultati nuk është fundi – është fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur. Me gjithë shpirtin, Ilir Alimehmeti”, shkruan ai në Facebook, përcjell A2 CNN.

Një ditë më parë në studion e A2 CNN Ilir Alimehmeti tha se sistemi nuk ka prodhuar garë të vërtetë elektorale por garë të brendshme duke i bërë gjithnjë edhe më të dobët zërat në parlament dhe duke nxitur largimin e njerëzve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos